E nisi si bojaxhi, po e mbyll si fajdexhi!


Nga Çim Peka

Dy dekada më parë kur Edvin Rama mori drejtimin e Tiranës, kishte përballë dy alternativa:

Ta shndërronte Tiranën në një qytet modern europian, apo ta nënshtronte nën mbretërinë e kaosit.

Në rastin e parë, do i duhej të merrte disa vendime të vështira, largpamëse dhe me kosto, si miratimin e një plani urbanistik dhe zhvillimor për të paktën 3 dekadat ne vazhdim; adoptimi i infrastrukturës së nevojshme në katër komponentë:

Ngritja e një infrastrukture rrugore, furnizimi me ujë, sistemi i ujërave të zeza dhe rrjeti i dixhitalizimit të qytetit.

Edhe pse kjo infrastrukture ishte në gjendje të mjerueshme, e krijuar për një qytet me një popullsi jo më të madhe se 200.000. Por këto punë nuk ishin për Edi Ramën. Nga piktor ai u shndërrua në bojaxhi. Katrahura që kemi sot, është produkt i tij.

Tërmeti i 26 nëntorit ndodhi në kushtet e një stresi ekonomik, financiar dhe buxhetor të paprecedentë, ku vetëm borxhi koncensionar tejkalon 2.2 miliardë Euro.

Konferenca e donatorëve e organizuar nga Komisioni Europian siguroi 270 milion dollarë ndihme direkte nga vetë Komisioni dhe nga disa shtete anëtare. Pjesa tjetër, rreth 850 milionë dollarë janë kredi me emra të ndryshëm.

Kryeministri në kulmin e mashtrimit të tij që nga Brukseli kërkoi një hudhër që të mos e kapte syri i keq. Unë nuk e di se cila ka qenë pritshmëria reale e qeverisë, por para konferencës zërat afër qeverisë flisnin për një shifër rreth 350-400 milionë dollarë. Shuma e mbledhur është 270 milionë.

Pak rëndësi ka nëse kjo sasi e ndihmës direkte është e kënaqshme apo jo, e rëndësishme është pjesa tjetër e fondit të mbledhur. Dje pati disa reagime të analisteve ekonomikë dhe unë nuk mund të shkoj përtej tyre, por ajo që bie në sy është ‘festa’ e qeverisë për suksesin.

Sipas përllogaritjeve të ekonomistëve, shuma e fondeve të mbledhura dje në formën e kredisë (jo të gjitha elementet janë të qartë) shkon rreth 850 milionë euro ose mbi 6.5% të GDP, duke e rritur pra borxhin e jashtëm në mënyrë drastike.

Po në të njëjtën dite, revista Monitor njoftoi se qeveria shqiptare kishte dalë në tregjet financiare ndërkombëtare për të kërkuar edhe 600 milionë euro kredi tregtare. Pra, në ditën që qeveria shqiptare dhe mediat pranë saj festojnë suksesin e madh të konferencës, qeveria shqiptare merr një vlerë totale borxhi prej afër 1.6 miliardë euro!

Një grup ekspertësh të Këshillit të Europës këtë javë sapo i ka dorëzuar qeverisë shqiptare (Ministrisë së Drejtësisë) një raport mbi ligjin për ‘Trajtimin e Pronës’, duke e kritikuar ashpër dhe duke e rrëzuar atë. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka në shqyrtim qindra dosje të ish-pronarëve, dhe janë rreth 89 dosje të cilat kanë kaluar pranushmërinë dhe presin vendimmarrjen.

Vlera totale e tyre i kalon 800 milionë euro.

Nga ana tjetër, Qeveria shqiptare përballet me disa çështje në gjykata të ndryshme të Arbitrazhit Ndërkombëtar. Vlera e tyre përllogaritet së paku 1.2 miliardë euro. 850 milionë euro mori borxh vetëm dje.

600 milionë te tjerë po i kërkon dhe do ti marrë shumë shpjet. Rreth 2 miliardë euro priten vendime të gjykatave ndërkombëtare në kurriz të Shqipërisë.

Mbi 2.2 miliardë euro është vlera e koncesioneve në formën e PPP-së, para që do ti paguajë qeveria shqiptare nder vite.

Edi Ramën mund ta kritikosh a ta lëvdosh si dhe sa te duash, por kur vjen tek ekonomia, shifrat janë këto.

Nga kryeministër, ai është kthyer në fajdexhi.

loading...
loading...

SHKRUAJ NJË KOMENT

0 Comments